Kujdesi për tokën është kujdesi për të ardhmen.

Nga Prof. Pandi Zdruli
CIHEAM, Instituti Agronomik Mesdhetar i Barit, Itali

Shqipëria është bekuar për tokën që ka. Në Shqipëri ka rreth 360,000 hektarë toke me një potencial të madh bujqësor që ka mundësi ujitje, ndonëse 140,000 hektarë prej tyre nuk kanë ujë për shkak se sistemi i ujites është akoma në riparim e sipër. Kjo sipërfaqe e tokës bujqësore ka një pjellori natyrale që ndryshon nga e kënaqshme deri në shumë e mirë për prodhimin bujqësor. Por kjo tokë duhet që të mbështetet me investime, si në drejtim të rrjetit kullues e ujitës, ashtu edhe me inputet e nevojshme, si plehrat kimike apo medikamentet mjekësore për ruajtjen e bimëve. Por me këto të fundit duhet shumë kujdes duke zbatuar në mënyrë rigoroze rekomandimet e kualifikuara agronomike. Në të kundërt fermerët rrezikojnë që prodhimet e tyre, sidomos ato të eksportit, të bllokohen nga autoritetet e BE-së siç ka ndodhur së fundi.

Nga sa është thënë më sipër, unë jam i bindur se ne i kemi të gjitha mundësitë të ushqehemi me tokën tonë por edhe të rrisim eksportet. Por kjo do të mund të realizohet nëse tokën do ta trajtojmë ashtu siç duhet dhe të kujdesemi vazhdimisht për shëndetin e saj. Nuk është rastësore që BE-ja e ka vënë tokën (apo më mirë dheun) në vëmendjen e saj. Është hera e parë që tokës (dheut) i jepet rëndësi e njëjtë me oqeanet, klimën, luftën kunder kancerit dhe qytetet e qëndrueshme (smart cities). Pakti i Ri i Gjelbërt Europian (New European Green Deal), i cili është dakordësuar edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor, synon ta kthejë Europën në të parin kontinent në botë që duhet të jetë neutral për sa i përket ndryshimeve klimatike (climate-neutral) brenda vitit 2030.

Në këtë kuadër BE ka propozuar formimin e një misioni të posaçëm të quajtur “Shëndeti i Tokës dhe i Ushqimit”, që ka marrë një titull shumë domethënës, “Të kujdesesh për tokën është njësoj si të kujdesesh për jeten” ku janë përcaktuar objektiva të qarta për ruajtjen e tokës. Strategjia nga Ferma te Piruni (Farm to Fork) synon që deri në vitin 2030 të ulet deri në 50% përdorimi i pesticideve, 20% i përdorimit të plehrave kimike, si dhe ulja deri në 50% e ndotjes së tokës dhe ujrave nga përdorimi pa kriter i plehrave kimike. Tepër ambicioz është objektivi që brenda vitit 2030 jo më pak se 25% e tokës bujqësore të zihet nga bujqësia biologjike apo e njohur ndryshe organike. Për më tej, Strategjia e Bio-diversitetit synon që të paktën deri në 30% e sipërfaqes tokësore në BE të futet në kuadrin e zonave të mbrojtura në mënyrë që të kufizohet apo edhe të ndalet ritmi i zënies së tokës (sidomos asaj bujqësore) me ndërtime, si dhe ndotja e tokës nga mbetjet urbane apo industriale.

Të gjitha këto probleme janë aktuale në BE dhe është llogaritur se dëmi që i shkaktohet Unionit nga degradimi i tokës dhe pasoja të tjera të lidhura direkt me të të jenë afro 50 miliard euro në vit. Erozioni i tokës shkakton dëmin më të madh i llogaritur deri në 1,5 miliard euro në vit për shkak të humbjes së prodhimit bujqësor. Erozioni mbi normat e pranuara në BE është i shtrirë në afro 12 milion hektare apo rreth 7.2% të tokës bujqësore. BE-ja ka edhe probleme të tjera me ndotjen e tokës, sidomos me afro 2,5 milion zona të ndotura që janë rezultat i trashëgimisë së revolucionit industrial apo aktiviteteve të mëvonshme. Ka edhe probleme të tjera por le të merremi pak me “shtëpinë” tonë.

Sa më sipër u tha jo për të justifikur gjendjen tonë në lidhje me tokën bujqësore, por edhe me atë pyjore apo të zënë me kullota e shkurre. Në një artikull të botuar në muajin gusht 2021 në shtypin vendas kam ngritur shqetësimin se mbas zjarreve shkatërrues të verës ne do të ndeshemi me një emergjencë të dytë apo më mirë atë të erozionit të tokës së djegur, shembjeve të dheut, përmbytjeve të zonave të ulëta bregdetare dhe erozionit detar. Shirat ndoshta nuk kanë filluar, por patjetër që do të vijnë prandaj duhet të jemi të përgatitur për pasojat. Dëmet e mbulesës bimore nga zjarret apo prerjet pa kriter bëhen në një kohë shumë të shkurtër, por duhen vite që ato të riparohen, në mos edhe kurrë më.

Shqipëria bashkë me Malin e Zi janë “kampione” të erozionit të tokës në Europë dhe as që krahasohemi për sa i përket sipërfaqes tonë të prekur, prandaj ne më shumë se kushdo tjetër duhet të marrim masa të shpejta për ndërtimin e brezave malorë, ndalimin e kullotjes në tokat të djegura, rimëkëmbjen e vegjetacionit natural, aty ku është e mundur, apo edhe me mbjelljen e pemëve, pa përmendur tarracimet të cilat tashmë rrallë kush i bën. Po ashtu, vënia në funksionim të plotë të hidrovorëve do të lehtësojë situatën në rast përmbytjesh.

Por tokën nuk duhet të vlerësojmë vetëm për faktin që na ofron 95% të ushqimit që hamë çdo ditë apo të veshjeve tona e shumë më tepër. Ajo ka një rëndesi kolosale edhe në drejtim të luftës kundër ndryshimeve klimatike sepse është vërtetuar se në shkallë globale ajo mban më shumë karbon organik se sa vegjetacioni sipërfaqësor dhe atmosfera së bashku. Toka (dheu) vjen e dyta mbas oqeaneve për depozitimin e karbonit organik. Por toka mund të jetë edhe burim i çlirimit të karbonit nëse do të trajtohet keq apo pa kujdes, sidomos ajo bujqësore.

Kjo është edhe një arësye më tepër pse BE-ja ka vënë objektivin për konvertimin deri në 25% të bujqësisë nga konvencionale në atë organike, përveç, pa dyshim, cilësisë së mirë ushqyese të këtyre produkteve. Një trend i tillë i ka dhënë shkas edhe formave të reja të bujqësisë, si ajo rigjenerative që synon zbatimin e teknologjive agro-ekologjike që minimizojnë ndërhyrjet e rënda në trajtimin e tokës, por mbështesin aplikimin e qarkullimit bujqësor, mbulesën bomore të vazhdueshme dhe bile shpërblimin financiar të fermerëve që rrisin sasitë e karbonik organik në fermat e tyre (Carbon farming).

Për sa i përket energjisë së rinovueshme nga burime diellore, kapacitet më të mëdha ne i kemi në zonat e tokave të kripura. Deri në vitet 90, ishin afro 10,000 hektarë të tillë të vendosur kryesisht në Hoxharë (Fier), Spitallë (Durrës), Rremas (Lushnjë) dhe Akerni (Vlorë). Sipas disa studimeve të fundit, kjo sipërfaqe është rritur, ndoshta edhe dyfishuar pasi kripëzimi është një proces sa natural edhe i ndikuar nga aktiviteti bujqësor, sidomos ujitja kur cilësia e ujit nuk është e mirë. E dinë mirë këtë fakt fermerët dhe specialistët e bujqësisë që përdorin ujin e rezervuarit të Thanës në Lushnjë.

Tokat e kripura përveç vetive të keqija kimike kanë edhe veti fizike të tilla që e bëjnë kultivimin e tyre të vështirë por jo të pamundur, siç e verteton kompania Agro Iliara, një leader në prodhimin e shegëve dhe të frutit goji berry, por kur përdoren teknologji të avancuara. Sidoqoftë, unë do te thoja se tokat e kripura në Shqipëri kanë një potencial të jashtëzakonshëm për prodhimin e energjisë elektrike diellore falë vendosjes së tyre në zona fushore dhe më shumë ditë me diell. Thënë kjo, i shikoj me shumë vend investimet aktuale në këtë drejtim të cilat pa dyshim janë të mundshme edhe në sipërfaqe shumë më të mëdha se ato ku po investohet aktualisht.

Çka u tha më sipër, janë vetëm disa aspekte që lidhen me kujdesin që duhet të tregojmë me tokën bujqësore të cilën përgjithësisht e kemi pjellore, por të pakët dhe nuk kemi mundësi ta shtojmë më tej. U munduam fatkeqsisht ta benin këtë para viteve 90 dhe bëmë më shumë dëmë se sa fituam. Prandaj, le të kujdesemi sa më shumë për të, në rradhë të parë fermerët tanë dhe me pas të gjithë ne, se çdo gjë mund të importojmë nga jashtë, por tokë nuk kemi për të gjetur askund.

 

Publikuar në SCAN TV web, më datë 22/10/2021, në linkun e mëposhtëm: